Ballokumja !!!
Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës dhe ku më shumë se në Elbasan gatuhet më mirë dhe me shumë shije. Në fakt, tradita e do që ballokumet të rrihen në enë bakrri nën kujdesin e amvisës elbasanase, e cila hedh sasinë e duhur të produkteve, ndërsa për procesin e rrahjes së brumit është mashkulli i familjes që shfrytëzon fuqinë e tij që ato të dalin sa më të mira.Përbërësit: 1 kg sheqer (jo i bluar) 1 kg majë mielli misri 450 gr tëlyn (gjalp) – preferohet gjalpe dhije 7 kokrra vezë 1/2 lëvozhgë veze e mbushur me finjë (nga hiri i zjarrit me dru ahu) (përbërësit mund të shumëfishohen në mënyrë proporcionale sipas dëshirës)
Përgatitja:
– Futet sheqeri në enën e bakrit të pa kallajisur dhe pas tij menjëherë futet tëlyni i sapo shkrirë në zjarr, por me temperaturë të vakët, pra jo i nxehtë.
– Fillon përzierja e kësaj mase me lugë druri pa ndërprerje përreth 30 minuta, derisa masa e sheqerit dhe tëlynit në enën e bakrit të marrë formën e kremit. Kohëzgjatja e përzierjes ka të bëjë me tretjen sa më të mirë të sheqerit dhe tëlynit duke u fërkuar në muret e enës së bakrit.
Kjo është e rëndësishme dhe veçanti e kësaj ëmbëlsire delikate në gatim.
– Futet veza e parë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të zhduket në këtë masë. (Këshillohet që vezët fillimisht të thyhen e të futen në një pjatë, për të evituar ndonjë vezë të prishur). – Pas 1 minute futet veza e dytë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa ajo të zhduket si veza e parë.
– Pas 1 minute tjetër futet veza e tretë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri, derisa edhe kjo të zhduket si dy të parat.
– Pas futjes së tre vezëve të para futet në masën që po përgatitet ½ lëvozhge veze me finjën e përgatitur më parë, pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri.
– Vijon përzierja me lugë druri përreth 5 minuta.
– Pas kësaj, fillon futja e miellit të misrit me dorë (duke e përhapur miellin në të gjithë sipërfaqen e enës dhe jo në formë topi), pa e ndërprerë përzierjen me lugë druri.
– Vijon futja e miellit të misrit me dorë, me intervale çdo 4-5 minuta në mënyrë që të tretet mielli njëtrajtshëm dhe të mos krijohen topa mielli brenda masës së kremit, pa e nderprerë përzierjen me lugë druri. Nga mielli i misrit hiqet një dorë dhe zëvendsohet me miell gruri. Kjo procedurë vazhdon derisa të mbarojë mielli.
– Me masën e përftuar mund të bëhen 9-11 kokrra ballokume (sipas preferencës së madhësisë së kokrrave).
– Merret me dorë një masë nga ky brumë dhe pa e ngjeshur aspak nëpër duar, i jepet lehtë forma e duhur dhe vendoset në tepsinë që do dërgohet në furrë, e cila duhet të jetë e pudrosur lehtë me miell misri dhe me asgjë tjetër.
– Këshillohet që para se të dërgohen në furrë për t’u pjekur, merret pak brumë në dorë dhe bëhet një kokërr e vogël sa një grusht dhe piqet në një stufë elektrike me 140-150ºC për 15-20 minuta. Nëse kjo kokërr hapet dhe ndehet tregon se masa kërkon edhe pak miell. Në të kundërt, nëse kokrra qëndron e rregullt është tregues se masa është gati për t’u bërë kokrra dhe të shkojë në furrë.